Transmetuar më 07-12-2018, 13:34

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë me deklaratë lidhur me publikimin e disa dokumenteve mbrëmjen e së enjtes, ku pretendohen falsifikimet e dokumenteve të Dunwell Haberman (kompania mëmë e DH Albania), fituese e lotit të parë për rindërtimin e Unazës së Madhe.

Kryedemokrati bëri thirrje ndaj mediave që të mos mbrohen kriminelët dhe pushteti, në mënyrë që të mos mbulohen vjedhjet.

“Tashmë është e qartë për të gjithë ju që projekti i Unazës është një projekt vjedhjeje dhe jo një projekt zhvillimi për xhepat e Edi Ramës. Ne kemi dy muaj që e themi këtë. Por, më mirë vonë sesa kurrë. Sot të gjithë po shohin Edi Ramën e vërtetë, një hajdut të ftohtë që për të mbushur xhepat e tij është i gatshëm të flakë në rrugë, pleq, fëmijë, gra shtatzanë, i frymëzuar nga makutëria e tij për para”, u shpreh Basha.

Sipas tij, askush nuk duhet të rrijë më pa vepruar, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve protestues që t’iu bashkohen banorëve protestues, studentëve protestues, që protestojnë për dije dhe arsim.

“Mos dëgjoni përçarësit, me njerëzit që paguan Rama. Bashkë ne duhet ta ndalim me çdo mjet dhe të luftojmë të gjithë për të mirën e popullit”, u shpreh Basha. /a.y/noa.al

Skandali! Kompania që fitoi tenderin e Unazës së Re, falsifikoi letrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së