Transmetuar më 07-12-2018, 08:10

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli përshëndet protestën e studentëve, të cilët i quan kujdestarët e kombit.

Sipas saj, studentet po i japin një drite shprese vendit të tyre.

“Ata sot po protestojnë kundra tarifave, por në thelb protesta e tyre është kundra varfërisë së shumëfishuar, kundra pamundësisë për të jetuar një jetë siç e ëndërron çdo i ri; ata sot protestojnë kundra papunësisë të prindërve të tyre, kundra pensioneve qesharake të gjyshërve të tyre; protestojnë kundra padrejtësisë, kundra brutatlitetit; kundra korrupsionit që ka kap çdo qelizë të këtij shteti; ata protestojnë kundra krimit e pasigurisë; protestojnë në fakt kundra qeverisë dhe oligarkëve; kundra tradhtisë së opozitës dhe lidershipit të saj të korruptuar, si dhe kundra gjithë atyre që pasurohen me karrigen politike qofshin në pushtet apo opozitë”, shprehet Topalli.

Ajo shton se sot studentët protestojnë kundër një sistemi të kalbur që nuk ka asgjë të përbashkët me atë që studentët e 8 Dhjetorit kërkuan tre dekada më parë.

Topalli thotë se, ata sot po i japin shpresë fëmijëve të tyre, shtëpisë së tyre, vendit të tyre të dashur.

“Ata po thonë: duam të jetojmë këtu, nuk duam të ikim si miliona shqiptarë të tjerë, vëllezër e motra të tyre që ikën nga dëshpërimi. Bravooo studenta!”, mbyll qëndrimin e saj Topalli. /a.y/noa.al