Transmetuar më 06-12-2018, 13:42

Studentët nuk i ka kënaqur heqja e tarifës për provimet e mbartura, duke vijuar protestën e tyre para ministrisë së Arsimit.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla konfirmoi pak më parë se që sot Qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat, ku nuk do të ketë kosto shtesë për studentët mbetës.

Ky qëndrim i saj u dha pas takimit me dekanët dhe rektorët e universiteteve.

Protestuesit, deklaruan pas këtij vendimi se ata nuk do të tërhiqen.

Studentët thonë se do të qëndrojnë deri sa të plotësohen kërkesat e tyre të tjera dhe se tarifa për provimet e mbetësve është vetëm njëra pikë nga katër kërkesat, ku renditen përgjysmimi i tarifës së studimeve, përmirësimi i kushteve në konvikte si dhe që Bordi i Arsimit të Lartë të ketë numër të barabartë votash si ministria e Arsimit.

NOA raporton nga vendngjarja të konstatojë se një pjesë e pjesëmarrësve janë larguar, duke e përgjysmuar numrin e protestuesve.

Ndërkohë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, sa i takon kërkesës për përgjysmimin e tarifës së studimit, tha se është në dorë të universiteteve.

“Qeveria nuk bën as ulje e as ngritje të tarifave të studimit. Janë universitetet që i përcaktojnë ndaj jeni të lutur por patjetër dhe të monitoruar nga MAS që ju të shteroni me studentëve dhe pedagogët një debat që sa mundësi ka të realizohet. Sot buxheti i shtetit mundëson mbi 75 të kostos reale të studimit”, u shpreh Nikolla.

Studentët e Universiteteve publike në Tiranë, qysh prej orës 10.00 vijojnë protestën para ministrisë së Arsimit.

Studentëve të Tiranës iu janë bashkuar edhe ata të rretheve, të Korçës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës, duke u bërë bashkë në kërkesat e tyre dhe duke bojkotuar mësimin.

Të rinjtë kërkojnë përgjysmim të tarifave vjetore si dhe heqjen e tarifave shtesë prej 670 lekësh për kredit për provimet e mbartura.

Po ashtu studentët i kanë lënë afat ministrisë së Arsimit, deri në orën 16.00 të ditës së sotme, që t’iu kthejë përgjigje.

Kërkesat e studentëve

-Shfuqizimin e pikës 4 të VKM-së numër 288 që detyron studentët të paguajnë për kreditet.

-Bordi i Arsimit të Lartë të ketë numër të barabartë votash si Ministria e Arsimit.

-Përmirësim të kushteve në konvikte.

-Përgjysmimin e tarifës së studimeve. /a.y/noa.al

NOA Sondazh