Transmetuar më 06-12-2018, 11:10
Ahmet Ajeti

Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka dalë sot në gjykatë për tu përballur me Ahmet Ajetin, i cili akuzohet se organizoi atentat ndaj tij në vitin 2005.

Gjatë seancës së sotme Lul Berisha, nuk ka pranuar të dëshmojë, duke thënë se është i dëmtuar në këtë proces.

Ndërkohë Ahmet Ajeti i ekstraduar nga Kosova, akuzohet se më 30 gusht të vitit 2005 tentoi të vrasë Lul Berishën.

Ai në bashkëpunim me Osman Korpuzin u nisën nga Tirana drejt Durrësit, për të vrarë Berishën, pas porosisë së marrë nga dy persona.

Gjykata e Krimeve të Rënda e rihapi çështjen penale ndaj të dënuarit për tentativën e vrasjes së ish-kreut të bandës së Durrësit, pas ekstradimit të tij nga Kosova, ndërsa ishte dënuar në mungesë.

Ndaj Ajetit, gjykata ka dhënë 20 vite burg. Atentati ndaj Lul Berishës dështoi pasi Ahmeti, para se të arrinte te vendi ku ndodhej kreu i bandës, u konfliktua me një person dhe nxori armën.

Në ato momente ai u vetëplagos aksidentalisht. Sakaq Ahmet Ajeti, rezulton të ketë qenë pjesë e bandës së Endrit Dokles dhe Adriatik Colit. /a.y/noa.al