Transmetuar më 06-12-2018, 10:55

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, përshëndet protestën e studentëve, të cilët kërkojnë uljen e tarifave.

“Bravo! Ju meritoni të jetoni të lumtur në Shqipëri. Politika duhet të mësojë prej jush. Respekt dhe mirënjohje”, shkruan Kryemadhi.

Ajo ka publikuar një video me pamje direkte nga protesta, në shenjë mbështetje ndaj tyre.

Studentët e Universiteteve publike në vend, kanë hyrë në ditën e dytë të protestës së tyre.

Të nisur nga universitet e tyre, ata janë bashkuar te Poliktekniku, për të vijuar marshimin drejt ministrisë së Arsimit.

Studentëve të Tiranës iu janë bashkuar edhe ata të rretheve, të Korçës, Durrësit dhe Elbasanit, duke u bërë bashkë në kërkesat e tyre.

Aty ata kanë bllokuar rrugën, duke thirrur në kor “Ne nuk jemi bankomat”, “Jam student i revoltuar, prej sistemit varfëruar”, “Duam të drejta, duam dije, jo reklama qeverie”.

Të rinjtë kërkojnë përgjysmim të tarifave vjetore si dhe heqjen e tarifave shtesë.

Po ashtu studentët i kanë lënë afat ministrisë së Arsimit, deri në orën 16.00 të ditës së sotme, që t’iu kthejë përgjigje.

Kërkesat e studentëve

Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë:

Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.

-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

-Përmirësimi i kushteve të konvikteve.

-Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë).

Bazuar në vendimin e qeverisë, studentët detyrohen të paguajnë për çdo provim të mbartur, në bazë të krediteve të tyre. /a.y/noa.al