Transmetuar më 06-12-2018, 10:11

Studentët e Universiteteve publike në vend, kanë hyrë në ditën e dytë të protestës së tyre.

Të nisur nga universitet e tyre, ata janë bashkuar te Poliktekniku, për të vijuar marshimin drejt ministrisë së Arsimit.

Studentëve të Tiranës iu janë bashkuar edhe ata të rretheve, të Korçës, Durrësit dhe Elbasanit, duke u bërë bashkë në kërkesat e tyre.

Aty ata kanë bllokuar rrugën, duke thirrur në kor “Ne nuk jemi bankomat”, "Jam student i revoltuar, prej sistemit varfëruar".

Të rinjtë kërkojnë përgjysmim të tarifave vjetore si dhe heqjen e tarifave shtesë.

Po ashtu studentët i kanë lënë afat ministrisë së Arsimit, deri në orën 16.00 të ditës së sotme, që t’iu kthejë përgjigje.

Kërkesat e studentëve:

-Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë:

Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.

-Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

-Përmirësimi i kushteve të konvikteve.

-Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë).

Bazuar në vendimin e qeverisë, studentët detyrohen të paguajnë për çdo provim të mbartur, në bazë të krediteve të tyre.

Me anë të protestës së tyre studentët kërkojnë heqjen e pagesës prej 670 lekë për kredit për provimet e mbartura.

Po ashtu ata kërkojnë shtyrje të afatit të pagesës së tarifës vjetore në fund të janarit dhe pagesë me këste të tarifës vjetore.

Nga ana e saj ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se ka durim dhe vullnet për të komunikuar me studentët.

“Unë nuk mund të dal në rrugë dhe të komunikoj, sepse vetë studentët nuk e meritojnë të komunikoj në rrugë”, deklaroi ajo në një prononcim në media. /a.y/noa.al