Transmetuar më 06-12-2018, 09:26

Qysh prej 29 nëntorit, një djalë i ri vetëm 21 vjeç është zhdukur pa gjurmë në rrethana të mistershme.

Ka qenë familja ajo që ka bërë denoncim në polici, duke hedhur dyshime se Mateo Aga mund të jetë rrëmbyer.

I riu jeton bashkë me familjen në Tiranë, por kishte shkuar në Maqellarë të Dibrës për të vizituar gjyshërit e tij.

Por mbrëmjen e 29 nëntorit ai u largua në mënyrë të mistershme duke humbur çdo gjurmë. Sakaq Mateo rezulton të jetë djali i një biznesmeni, Pajtim Aga, i cili tre vite më parë ka hapur një televizion kabllor “Maqellara”.

Po ashtu babai i të zhdukurit, Pajtim Aga, u ndalua nga policia e Lezhës rreth dy vite më parë me një sasi lënde narkotike. Por pak më vonë ai u la i lirë, ngjarje e cila ndodhi pak pasi ai ishte kthyer nga emigrimi.

Ndërkohë Xhaxhai i Mateos, Robert Aga, rezulton të ketë qenë drejtues i komisariatit të policisë së Dibrës për disa vite, ndërsa aktualisht është shef i qarkullimit rrugor në Kukës.

Mirëpo i riu dyshohet se është përdorues i lëndëve narkotike dhe për herë të fundit u pa në një lokal në fshatin Grazhdan të Maqellarës, ku dhe jetojnë gjyshërit e tij.

Gjatë marrjes në pyetje babai i të riut, Pajtim Aga ka thënë se nuk kanë konflikte me njeri. /a.y/noa.al