Transmetuar më 05-12-2018, 16:12

Kreu i Grupit Parlamentar i Lëvizjes socialist për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Venecias për vettingun në politikë.

Përmes një postimi në rrjetin e toj social Facebook, Vasili shkruan se Venecia në raportin e saj  konfirmon vettingun e politikanëve si dhe krimin që ka pushtuar shtetin.

“Komisioni i Venecias konfirmon Vetingun e politikaneve dhe krimin qe ka pushtuar shtetin. Komisioni i Venecias konfirmon qartë e zeza mbi të bardhë që krimi ka pushtuar shtetin dhe ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te institucionet dhe nevoja për veting të politikës është plotësisht legjitime”, shkruan Vasili.

Më tej ai sjell një pjesë nga drafti se ç’thonë ekspertët e Venecias në ligjeratë të drejtë, në mënyrë që sipas tij të mos u lërë shkas përkthyesve bajatë të qeverisë nga shqipja në shqip, që të shtrembërojnë të vërtetat.

"Nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”.

Ekspertët e Komisionit të Venecias shprehen se: “Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillit bashkiak ose zyrtarët qeveritare, me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vettingut të gjyqësorit, ndërlidhja e institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar duket të jetë shumë i lartë.

Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore ose të paktën ka një ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”.

"skualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë””.

Më herët u zbardh drafti i pamiratuar, që iu dërgua partive politike në Shqipëri, mazhorancë e opozitë, ku thuhej se projektpropozimi kushtetues i opozitës nuk arrin të japë udhëzimet e përshtatshme.

Ky është drafti paraprak, që gjithsesi do të duhet të miratohet nga mbledhja e Komisionit të Venecias, për të ardhur si vendim përfundimtar nga mesi i muajit dhjetor.

Ndër të tjera, “Venecia” shprehet se në mungesë edhe të ligjit zbatues, është e vështirë për Komisionin, për të përcaktuar nëse amendamenti kushtetuese është apo jo i nevojshëm dhe një vlerë e shtuar aktualisht në Shqipëri. Për këtë thekson Komisioni, duhet të vendosë Kuvendi, në një proces dialogu konstruktiv midis palëve politike./b.l/noa.al/