Transmetuar më 05-12-2018, 14:22

Monedha e përbashkët ka zbritur sot në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2008, duke arritur në këtë mënyrë një rekord të ri të 11 viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.11, me një rënie prej 0.15 lekë në raport me ditën e mëparshme, duke kaluar në këtë mënyrë dhe rekordin minimal prej 124.17 lekë që u arrit në fillim të muajit qershor.

Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një sërë ndërhyrjesh të jashtëzakonshme, duke tërhequr më shumë se 100 milionë euro nga tregu, duke e stabilizuar kursin për pak muaj në nivelin e 126 lekëve. Por, që nga mesi i shtatorit, kur Banka e uli intensitetin e ndërhyrjeve dhe më pas sinjalizoi tregjet se do e linte kursin të lirë, euro ka shënuar një rënie të vazhdueshme graduale, duke vendosur sot një rekord të ri të dekadës së fundit.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me kërkesë ofertën, konkretisht me ofertën e lartë të eurove dhe qarkullimin e dobët të monedhës vendase.

Sipas tyre, në nëntor aktiviteti tregtar nuk ishte në nivelet e pritura, ndërsa shumë shqiptarë ikën jashtë për të festuar dhe me kthimin në vend kanë këmbyer eurot e tepërta.

Gjatë ditëve të pushimit bizneset pritën që konsumatorët të blinin, po nuk ndodhi kështu, thanë për ‘Monitor’ operatorët e tregut.

Ata presin që euro të vijojë të qëndrojë e dobët dhe në periudhën në vijim dhe nuk përjashtojnë rekorde të reja minimale.

Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, niveli minimal historik i euros ka qenë 120.9 lekë dhe është arritur në dhjetor të vitit 2007. Më pas euro u forcua, e ndikuar kryesisht nga transferimi i fitimeve të kompanive celulare jashtë vendit, duke arritur rekordin prej 141.8 lekëve në maj të vitit 2011 dhe u stabilizua për disa vjet në kuotën e 140 lekëve. Më pas euro filloi sërish rënien në mesin e 2016-s, duke reflektuar ofertën e shtuar pas kultivimit masiv të kanabisit në vend.

Që nga mesi i 2016-s, euro vetëm po humb pikë, si rrjedhojë e ofertës së lartë të euros në raport me kërkesën për të dhe qarkullimin e ngadaltë të monedhës vendase.