Transmetuar më 05-12-2018, 13:01

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e studentëve të cilët kundërshtojnë tarifat universitare.

Teksa ka replikuar me komentuesit në rrjetet sociale, ai e ka cilësuar gjithçka si një zhurmë kazanesh dhe dezinformim me dashje.

Madje ai thotë se nuk mund të paguajnë për studentët ngelësit.

“Më falni po e para ministrja s’është as pa shkollë as me UFO, ndryshe nga çfarë ju mund të keni mësuar nëpër kazanet mediatike, ndërkohë që pyetja ime është: A jeni ju dakord që t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentët ngelës? Unë për vete nuk jam dakord e para dhe e dyta nuk ka asnjë rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vete universiteti sa për dijeni, quhet autonomi universitare) po ka zhurmë kazanesh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi, si edhe këmbëngulje nga një pakicë për të mos pranuar zbatimin e reformës që e nxjerr universitetin nga bataku shumëvjeçar,” shkruan Rama.

Bazuar në vendimin e qeverisë, studentët detyrohen të paguajnë për çdo provim të mbartur, në bazë të krediteve të tyre.

Me anë të protestës së tyre studentët kërkojnë heqjen e pagesës prej 670 lekë për kredit për provimet e mbartura.

Po ashtu ata kërkojnë shtyrje të afatit të pagesës së tarifës vjetore në fund të janarit dhe pagesë me këste të tarifës vjetore.

Nga ana e saj ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se ka durim dhe vullnet për të komunikuar me studentët.

“Unë nuk mund të dal në rrugë dhe të komunikoj, sepse vetë studentët nuk e meritojnë të komunikoj në rrugë”, deklaroi ajo në një prononcim në media. /a.y/noa.al

Protestë para ministrisë së Arsimit kundër tarifave, studentët qëllojnë me vezë

Protesta e studentëve, Nikolla: Nuk bisedoj në rrugë

Studentët e Inxhinierisë dhe Arkitekturës, protestë kundër rritjes së tarifave