Transmetuar më 05-12-2018, 11:17

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla thotë se është e gatshme të negociojë me studentët për kërkesat që ata kanë. Sipas Nikollës, kërkesa e studentëve është që ata mos paguajnë vitin që ngelin, por kjo tha ministrja ka qenë edhe në ligjin e vjetër.

Sipas saj, studentët janë njerëz të lirë, janë në të drejtën e tyre të protestojnë për diçka që ata ndjejnë, por shtoi se e vërteta është tjetër.

“Ka nisur si një reagim në fakultetin e Arkitekturës për shkak se administratorja e atij Universiteti ka vendosur një afat kohor për pagesën e tarifës, gjë të cilën studentët kanë dashur në një kohë tjetër pagesën e tarofës, gjë që është pranuar nga stafi i Universitetit. Edhe dekani ka qenë në komunikim me ta. Ky moment është përdorur nga segmente të tjera për të pasur në kërkesë më të madhe, për të ulur tarifat e studimit. Por nuk ka asnjë rritje të tarifave të studimit. Dhe tjetra kërkojnë është që studentët që mbesin nuk duhet të paguajnë vitin që përsëritin. Unë, zv.ministrja dhe këshilltari kemi kërkuar që një përfaqësi e tyre të vijnë dhe të diskutojnë. Për mua nuk ka rëndësi nga inkurajohen dhe nga e marrin nxitjen. Unë jam e vendosur për të komunikuar dhe të sqaroj”, u shpreh ministrja.

Lidhur me pagesën me këste, duke folur për ‘Ora news’, ministrja deklaroi se administratorët e Universiteteve publikë kanë ndryshuar dhe kanë vendosur të paguajnë me këste.

Sa i takon pagesës për çdo kredit, ministrja tha se kërkesa është që studentët që mbesin mos paguajnë tarifën.

“Ju bëj me dije se edhe me ligjin e vjetër ka qenë njësoj. Studentët që ngeleshin paguanin vitin. Kjo është e shkuar dhe në aktet ligjore të mëparshme. Ajo që është vullneti i Universiteteve, por edhe i shoqërisë është se nuk duhet të dekurajojmë cilësinë, por të motivojmë cilësinë. Por unë jam tejet e qetë, me durim dhe vullnet për të komunikuar me studentët. Unë nuk mund të dal në rrugë dhe të komunikoj, sepse vetë studentët nuk e meritojnë të komunikoj në rrugë”, deklaroi ministrja.

Sakaq bazuar në vendimin e qeverisë, studentët detyrojnë të paguajnë për çdo provim të mbartur, në bazë të krediteve të tyre.

Me anë të protestës së tyre studentët kërkojnë heqjen e pagesës prej 670 lekë për kredit për provimet e mbartura.

Po ashtu ata kërkojnë shtyrje të afatit të pagesës së tarifës vjetore në fund të janarit dhe pagesë me këste të tarifës vjetore. /a.y/noa.al

Studentët e Inxhinierisë dhe Arkitekturës, protestë kundër rritjes së tarifave