Transmetuar më 04-12-2018, 19:22

Ndonëse në bojkot parlamentar prej disa muajsh, deputetët e Partisë Demokratike kanë vijuar të marrin rrogën e tyre. Gazeta “Panorama” zbardh sot pagat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për muajt tetor dhe nëntor të këtij viti.

Në tabelën e shpenzimeve të deputetëve, ku është edhe listëpagesa e deputetëve, deputetët e opozitës kanë vijuar të marrin pagën, por jo të plotë.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, është treguar dorëlëshuar me deputetët e opozitës duke i penalizuar vetëm me mungesat në mbledhjet e komisioneve dhe të seancave plenare. Ndërkohë, ai u ka akorduar atyre pagesat për shpenzimet e tjera siç janë karburanti, telefoni.

Sipas listës së pagesës së publikuar në gazetë, deputeti më i paguar nga opozita përgjatë dy muajve e fundit ka qenë zëvendëskryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Edi Paloka.

Ndërsa deputetët më pak të paguar nga PD-ja janë Gent Strazimiri dhe Astrit Veliaj, ndërsa nga LSI-ja është deputetja Silva Caka. Deputetët e maxhorancës, përgjatë dy muajve të fundit kanë marrë një rrogë më të lartë sesa muajt e mëparshëm.

Konkretisht, muaji nëntor u ka dhënë atyre më shumë të ardhura sesa në muajt e mëparshëm. Kjo lidhet me kalendarin e ngjeshur të punimeve të Kuvendit, ku u shqyrtua buxheti për vitin 2019, si edhe paketa fiskale që e shoqëron atë.

Kësisoj, nga radhët e maxhorancës, krahas Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit që është edhe më i paguari, deputetët e Komisionit të Ekonomisë kanë marrë nga 117 mijë lekë në muaj, ndërsa kryetarët e komisioneve nga 122 mijë lekë në muaj. Paga e deputetit përllogaritet nga pjesëmarrjet në komisionet parlamentare.

Sipas ligjit për statusin e deputetit, përcaktohet se: “Paga e deputetit përbëhet nga paga për pjesëmarrjen e tij në seancë, në komisione dhe në veprimtari të tjera parlamentare.

Mospjesëmarrja pa shkaqe të përligjura të deputetit në seancë, në komisione ose në veprimtari të tjera parlamentare, sjell ndalesën e pjesshme të pagës ose të shpërblimit. Mospjesëmarrja pa shkaqe të përligjura e deputetit në seancë, në komisione ose në veprimtari të tjera parlamentare sjell ndalesën e pagës ditore”.

lista4lista3lista2lista1lista