Transmetuar më 04-12-2018, 11:34

Policia e Durrësit del me deklaratë sqaruese lidhur me vjedhjen e zyrës ku paguhen gjobat, në komisariatin e policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës thotë se ngjarja është raportuar në ditën kur ka ndodhur ngjarja e shoqëruar me video, më 1 dhjetor dhe është publikuar edhe faqen e Policisë së Shtetit.

Më tej bëhet me dije se pak orë pas ngjarjes, nga ana e forcave të policisë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar.

Po ashtu sqarohet se nuk janë vjedhur 2 milionë lekë të reja, por 200 mijë lekë të vjetra.

Njoftimi i dhënë më 1 dhjetor

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës më vijim të punës së tyre për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve në fushën e veprave penale kundër pasurisë kanë bërë të mundur arrestimin e dy shtetasve, konkretisht:

-Xhani Ymeri 30 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”;

-Ekilian Bibi 27 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasit e mësipërm ditën e sotme , në lagjen Nr.8 dyshohet se kanë vjedhur zyrën ku paguhen gjobat ku kanë marrë 200 000 lekë të vjetra.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova shkencore se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri – tjetrin janë autorë edhe të ngjarjeve si më poshtë vijojnë:

Më datë 27.11.2018 dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dhomën e Imazherisë në Spitalin Pediatrik Durrës.

Më datë 30.11.2018 , në lagjen Nr.8 dyshohet se kanë vjedhur banesën e shtetases A.Ç. ku kanë marrë dritare dhe dyer duralumin dhe i kanë shitur në një pikë grumbullimi hekurash.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale një pjesë e pajisjeve të vjedhura në zyrën e Imazherisë; dyert dhe dritaret duralumin të vjedhura në banesën e shtetases A.Ç., doreza, pinca dhe kaçavida.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja në bashkëpunim “ parashikuar në nenin 134/2 të Kodit Penal. /a.y/noa.al