Transmetuar më 03-12-2018, 16:00

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se buxheti i vitit 2019 i miratuar nga maxhoranca është buxheti më katastrofik në 28 vite. Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se me këtë buxhet legjitimohet zhvatja dhe grabitja e taksave të shqiptarëve.

“Ditën e sotme organizata kriminale ka kaluar buxhetin më katastrofik në 28 vite. Legjitimon zhvatjen dhe grabitjen e taksave tuaja dhe pasuron një grup oligarkësh dhe qeveritarësh. Dy janë karakteristikat e këtij buxheti apo vjedhjeje masive me një votë jolegjitime.

Shqipëria në 5 vite të Edi Ramës është katandisur në një vend ku 97% e qytetarëve paguajnë taksa më shumë dhe fatura më të shtrenjta se në vendet e rajonit. Ka nxjerrë nga xhepat e shqiptarëve 1.9 mld euro më shumë.

Kjo rritje galoponte taksash që ka çuar në 1.9 mld euro më shumë të marra nga xhepat tuaja nuk ka sjellë asnjë rritje ekonomike por e ka futur vendin në një cikël krize”, theksoi kreu i PD.

Më tej Basha mori si shembull mbylljen e bizneseve që sipas tij kanë prekur 150 mijë familje shqiptare.

“Nuk ka shembull më të trishtë për ta ilustruar këtë se sa përditësimi i fundit i shifrave të falimentimit të bizneseve. Mbi 13 mijë biznese të mbyllura nga janari deri në tetor. 60% më shumë biznese kanë mbyllur qepenat këtë vit në krahasim me vitin e kaluar.

Mbi 73 mijë biznese të mbyllura që kur Rilindja ka ardhur në pushtet që prekin 150 mijë familje shqiptare. Ky është rezultat i drejtpërdrejt i frymës mbytëse për ekonominë që ka shkaktuar qeveria e Edi Ramës”, tha kreu i PD.

Ndër të tjera kryedemokrati Basha ka kërkuar sot bashkimin e të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë kundër Rilindjes.

Basha iu ka bërë thirrje qytetarëve të harrojnë ngjyrat dhe të ngrihen kundër maxhorancës që sipas tij po vjedh shqiptarët. Madje Basha kërkoi ‘ta kthejmë buxhetin e 2019, në epitafin dhe gurin e varrit për Rilindjen’.

“Ju kërkoj t’i harroni ngjyrat. Mos i shikoni ngjyrat. Sigurisht që vij si kreu i PD por nuk është një betejesë vetëm e së djathtës por e këtij populli kundër një grushti shushunjash që kërkon ta vjedhë.

Le të bashkohemi të gjithë së bashku. Le ta kthejmë këtë buxhet në epitafin e merituar dhe gurin e varrit për organizatën kriminale të Rilindjes. Shikoni fëmijët tuaj në sy, nëse jeni të drobitur e të lodhur, shikoni në sytë e fëmijëve tuaj. Luftoni për ta, luftoni për të ardhmen e tyre. Ata nuk dorëzohen dhe opozitën do ta keni në krah hap pas hapi”, deklaroi kreu i PD./b .l/noa.al/