Transmetuar më 03-12-2018, 14:56

Rastësia i bëri që këngën e tyre në Këngën Magjike ta prezantonin në një ditë. Në fillim ishte Rozana që prezantoi një baladë “Kur përfundon një dashuri si kjo e jona” dhe pas saj, në skenën e Këngës Magjike në “E diela shqiptare” zunë vend MC Kresha dhe Fifi, të cilët prezantuan “Psikopatja jote”.

Pas së dielës, komentet në rrjet nuk u ndalën për raportin e Rozanës dhe reperit të njohur, madje pati edhe nga ata që guxuan të deklaronin se Rozana e prezantoi e para këngën për të mos u ndeshur me Mc Kreshën.

Në të vërtetë, të gjitha këto aludime kanë rënë poshtë, sepse është vetë Rozana që ka zgjedhur jo vetëm t’u përgjigjet pyetjeve të fansave të saj virtualë, por edhe t’i publikojë ato që kanë të bëjnë me raportin e saj me Mc Kreshën dhe Fifin.

Kështu, në njërën prej pyetjeve për votat e saj në Këngën Magjike “A do të votosh Kreshën dhe Fifin, pasi Kresha të zgjodhi ty live që ka për të votuar?”, Rozana përgjigjet: “Ju siguroj që votimet e mia do jenë të hapura si të të gjithë artistëve. Do t’i shikoni”, – shkruan këngëtarja.

Pyetjes tjetër “Si i ke raportet me MC Kreshën dhe Fifin?”, Rozi përgjigjet: “Shumë të mira. Unë, bashkë me Era Rusin kemi qenë iniciatorët që Fifi të vinte në Tiranë dhe të vazhdonte karrierën këtu. Dhe kemi bërë shumë mirë se Fifi ia doli shumë mirë.”