Transmetuar më 03-12-2018, 14:37

Kuvendi miratoi sot Buxhetin e Shtetit për vitin 2019. Parlamenti votoi me 76 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Ndërkohë opozita sërish nuk ishte pjesë e seancën plenare, ndonëse maxhoranca i bëri thirrje që të jetë e pranishme.

Maxhoranca rrëzoi të gjitha amendamentet e propozuara nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

-Kërkoi mosndryshimin e taksës minerare. Kuvendi e rrëzoi.

-Kërkoi rritjen e taksës për lojërat e fatit nga 15% ne 30%. Kuvendi e rrëzoi

-Kërkoi rritjen e fashës së pagës qe nuk tatohet nga 30 mije leke ne 40 mije leke. Kuvendi e rrëzoi

-Kërkoi që taksa e ndërtesës për Organizatat e personave me aftësi ndryshe dhe libraritë të jetë zero. Kuvendi e rrëzoi: 17 pro 44 kunder 13 abstenim

"Boll të lutem të kam dëgjuar sa s’ka më! iu drejtua Braçe Ahmetajt ndërkohë që në këtë debat ka ndërhyrë dhe Rama.

“Është pozitive që ne bëjmë debate dhe amendamente, bëjmë dhe opozitën e këtij parlamenti. Praktikisht gjithë dita e sotme ka qenë e frytshme, pasi ka qenë për përmirësime të draftit të buxhetit dhe paketën fiskale. Mesazhi i këtij buxheti dhe pakete është shumë pozitiv. pavarësisht se fokus në këtë seancë tek disa amendamente mund të krijojë ide pak më ndryshe.", tha Rama.

Projektligjet

Mësohet se në rendin e ditës së seancës së sotme plenare ishte po ashtu edhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar. Në seancën e sotme plenare pritet edhe miratimi i disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare ndër të cilat projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar”.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të Montrealit, “Për substancat që hollojnë shtresën e ozonit””, si dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë – Republika e Shqipërisë, 2014-2020, alokimet e vitit 2017”.

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektvendimi “Për emërimin e një anëtari të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”, ndërsa pritet edhe miratimi i projektligjeve të mbartura si ai “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar””.