Transmetuar më 03-12-2018, 12:49

Vijojnë kontrollet në dyqane dhe pika shumicash në bazë të planit të masave për parandalimin dhe sekuestrimin e kapsollave dhe lëndëve piroteknike me rrezikshmëri për jetën.

Në qytetin e Fierit, Lushnjes, Divjakës dhe Ballshit u kontrolluan 65 subjekte të ndryshme, dyqane, supermarkete dhe pika shumicash.

Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar 210 kapsolla dhe 410 fishekzjarre që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën.

Gjithashtu kontroll u ushtrua edhe në lidhje me elementët e sigurisë me të cilat duhen të jenë të pajisura subjektet tregtare siç janë kamerat e vëzhgimit apo pajisja me fikëse zjarri.

Policia e Shtetit fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregëtimit të lëndëve të mësipërme në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital”./a.y/noa.al