Transmetuar më 01-12-2018, 12:37

Ish-ambasadori i SHBA, Alexander Arvizu u prit në një takim nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili e nderoi atë me “Kullën e Sahatit”, si një figurë që ka dhënë kontribut të madh në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas, Veliaj dhe Arvizu mbollën edhe një pemë në shenjë të miqësisë mes dy vendeve në lulishten pranë Bibliotekës Kombëtare.

Ish-ambasadori Arvizu e cilësoi të jashtëzakonshëm transformimin që ka pësuar Tirana vitet e fundit, ndërsa theksoi se është bukur që njerëzit ndiejnë krenari për qytetin e tyre.

Duke u shprehur i kënaqur që rikthehet sërish në Shqipëri, ish-ambasadori vlerësoi edhe rolin e kryebashkiakut Veliaj dhe lidhjet e tij të forta me SHBA.

“Jam i lumtur të jem sërish këtu në Shqipëri. Kjo është hera ime e parë që nuk jam në një pozitë zyrtare, ndaj është një ndjesi disi e çuditshme, por jam shumë i lumtur të jem sërish këtu. Kryebashkiaku ka lidhje shumë të forta me Amerikën prej kohës së tij si student dhe unë e falenderoj që ka qenë pjesë e asaj eksperience profesionale dhe që po më lejoni mua të bëhem pjesë e përvojës suaj”, tha Arvizu.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi ish-ambasadorin amerikan Arvizu një mik shumë të çmuar të vendit tonë.

Ai deklaroi se edhe nisma e tij për të dhënë një kontribut konkret duke mbjellë një pemë në Tiranë në fushatën për “Pyllin Orbital”, është një provë se Shqipëria ka zënë vend në zemrën e tij.

Veliaj falenderoi ambasadorin amerikan për punën që ka bërë gjatë mandatit të tij në Shqipëri dhe e ftoi atë që Tirana të jetë destinacioni i pushimeve të familjes së tij.

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander A. Arvizu shërbeu në Shqipëri nga dhjetori i vitit 2010 deri në janar të vitit 2015. /a.y/noa.al