Transmetuar më 01-12-2018, 09:26
Pamje nga pallati ku ndodhi ngjarja

Një çift bashkëshortësh i dhanë fund jetës tragjikisht në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte, duke u hedhur nga kati i gjashtë i pallatit ku jetonin.

Bëhet fjalë për një çift të moshuarish nga Berati, Kujtim Agalliu dhe Këze Agalliu, mbi të 70-at, të cilët bënë vetëvrasje të dyfishtë.

Mësohet se fëmijët i kishin hequr nga fshati Qerreshnik, duke iu blerë një apartament në qytet në lagjen “30 Vjetori”, në mënyrë që të mos kishin vështirësi, për shkak se vetë ishin në emigracion. Dyshohet se ngjarja mund të jetë e paralajmëruar nga bashkëshortët, të cilët e kishin të pamundur të përshtateshin me jetën në qytet.

Bazuar në dëshminë e të afërmve, ata iu kishin kërkuar fëmijëve, që ti kthenin në fshat, pasi me atë jetë ishin mësuar dhe qyteti veçse iu kishte shtuar marazin.

Kështu mendohet se në gjendje të rënduar psikologjike, kanë kryer aktin e rëndë.

Duke rindërtuar ngjarjen dyshohet se 78- vjeçari Kujtim Agalliu, mëngjesin e së premtes, ka shtyrë të shoqen nga ballkoni dhe më pas është hedhur dhe vetë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ishin fqinjët ata që konstatuan trupat e pajetë, duke lajmëruar policinë.

Teksa katër fëmijët ndodheshin në emigrim në Itali dhe Greqi, ata kishin paguar një grua që të kujdesej për ta.

Dyshohet se i moshuari kishte probleme psikologjike dhe për këtë arsye ishte trajtuar me ilaçe, ndërsa e shoqja ishte e prekur nga tumori, dhe kishte pësuar dy ndërhyrje në kokë.

Pikërisht edhe heqja e tyre nga fshati dhe dërgimi në qytet, ishte bërë në mënyrë që prindërit të kishin më afër spitalin për shkak të problemeve shëndetësore dhe për shkak se fëmijët ishin larg. /a.y/noa.al