Transmetuar më 30-11-2018, 19:33

Elvana Gjata ka marrë kërcënime nga persona të panjohur disa ditë pas ngjarjes, ku u përfshinë i dashuri i saj Ervin Mata dhe djali i dajës së saj Mevjol Bilo, ky i fundit i dyshuar si autor i vrasjes.

Ky fakt konfirmohet nga burime të Policisë së Tiranës, që ndër të tjera thanë se janë marrë masa për mbrojtjen këngëtares dhe të familjes së saj. Vetë Elvana ka konfirmuar në Polici, se para se të ndodhte ngjarja më 4 tetor në zonën e ish-Bllokut, nuk ka pasur probleme dhe as nuk është kërcënuar, shkruan “Panorama”.

Të njëjtat burime konfirmuan se disa ditë më parë, konkretisht pasditen e së shtunës, ajo është paraqitur vetë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka dhënë dëshminë e saj, e cila në fakt kërkohej me detyrim prej më shumë se një muaji.

Këngëtarja ka deklaruar se nuk i njeh asnjë nga personat e përfshirë në konflikt dhe se nuk ka qenë në lokal as para dhe as në momentin kur ka ndodhur ngjarja.

Duke shpjeguar në këtë formë edhe arsyen pse kishte shkuar të takonte të fejuarin e saj, me të cilin ajo thotë se bashkëjetonte prej një viti dhe ka shkuar për t’i dhënë çelësin e shtëpisë. Më ketë argument ajo ka shpjeguar edhe largimin e saj nga Shqipëria disa orë pas ngjarjes, si një udhëtim të planifikuar më parë dhe nuk kishte mundësi për ta shtyrë.

Për këtë arsye i ka dhënë çelësin Ervin Matës, pasi nuk do e takonte më gjatë asaj nate. Ndërsa e pyetur nëse ka pasur komunikime me Matën gjatë kësaj kohe që ai është i shpallur në kërkim, ajo ka mohuar të ketë folur me të dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni për vendndodhjen e tij.