Transmetuar më 30-11-2018, 17:51

Kryetari i Partisë Demokratike ishte këtë mbrëmje te banorët protestues të “Astirit” për të denoncuar edhe njëherë atë që ai e quan aferë korruptive të projektit të Unazës së Re.

Në një komunikim me median, Lulzim Basha tha se për këtë rast korrupsioni hesht edhe prokuroria, e cila sipas tij është e kapur nga Edi Rama.

“Tre fakte kanë dalë këtu. Korrupsion me prokurorim, korrupsion me hartimin e projektit, korrupsion me pronat e qytetarëve”, tha Basha.

Ai foli për fakte që janë pubklikuar nga PD dhe media, por që as këto nuk mjaftojnë për të nisur hetimet.

“Ditë pas dite, si media edhe opozita kanë zbardhur fakte tronditëse për mënyrën se si janë përfshirë këto kompani. Këtu po vidhet me një dorë miliona euro, 20-30 milionë euro po vidhen këtu. Janë paratë e shqiptarëve që po vidhen, nuk janë paratë e këtyre qytetarëve që po protestojnë këtu. Këta banorë po nxirren nga shtëpitë e tyre, përpara festive” u shpreh z. Basha.

Ky projekt nuk është për zhvillimin e Tiranës, por për mbushjen e xhepave të “agait të Surrelit’, tha kreu i PD-së Lulzim Basha. /k.k/noa.al/