Transmetuar më 30-11-2018, 12:58

Policia italiane ka shkatërruar një grup të strukturuar kriminal me aktivitet në trafikun e drogës në territorin e rajonit të Puglias.

20 persona u arrestuan nga operacioni i zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë. Ata akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje e pjesëmarrje në krim të organizuar.

Gjatë hetimeve prej më shumë se 2 vite e gjysëm janë sekuestruar 13 kg drogë, e tipit heroinë, kokainë e marijuanë, 2 pistoleta, si dhe janë arrestuar në flagrancë 12 persona të tjerë. Droga trafikohej nga Shqipëria, Hollanda e Sllovenia.

Baza territoriale e këtij grupi kriminal ishte komuna e Sal Salvos e Vasto, një udhëkryq i njohur i trafikut të drogës. Operacioni është ekzekutuar me urdhër të Prokurorisë së Aquilas e nën hetimin e Antimafias Italiane. Operacioni i koduar “Evelin” ka vënë hetim dhe 37 persona të tjerë, italianë rumunë e shqiptarë.

Mediat italiane kanë bërë publike emrat e të arrestuarve, mes të cilëve janë 15 shqiptarë; Elvis Cafi, Eqerem Bimi, Clirim Tafimi, Adem Cekorja, Basmir Sylja, Denis Bimi, Emran Morina, Andernes Tomorri, Bruno Aliu, Elvin Tafili, Abjond Xheka, Adriano Shabanaj, Agim Cafi, Erlin Roci./b.l/noa.al/