Transmetuar më 28-11-2018, 14:13

Dalin detaje të komunikimit të Elvana Gjatës me grupin hetimor lidhur me përplasjen me armë zjarri në ish-bllok mbrëmjen e 4 tetorit në zonën e ish-bllokut.

Burime për Report Tv saktësuan se Elvana Gjata ka statusin e dëshmitares dhe ndaj saj nuk ka masë sigurie, ndërsa në kërkim policor vijon të jetë i fejuari i saj Ervin Mata, protagonist në përleshjen me armë zjarri me grupin e Ervis Martinajt.

Mësohet se tre javë më parë Elvana Gjata ka thyer heshtjen përmes një letre dërguar me postë prokurorisë, por detajet janë bërë publike vetëm sot.

Këngëtarja i njofton se nuk ndodhet në Shqipëri për arsye shëndetësore, ndërsa shton se është njoftuar nga mediat lidhur me faktin se prokuroria kërkon dëshminë e saj për rrethanat e asaj që ndodhi brenda lokal “Monopol”, edhe pse thekson se nuk ka qenë e pranishme në momentin kur nisi konflikti me armë.

“Jam njohur nga media se kërkohet dëshmia ime. Ndodhem jashtë vendit për arsye shëndetësore, jam njohur nga media se kërkoni dëshminë time. Sapo të jem në Shqipëri do të paraqitem për të dhënë deklarimet e mia”, shkruan këngëtarja në letër.

Edhe sipas hetimeve të policisë dhe prokurorisë, por edhe dëshmive të administruara tashmë nga grupi hetimor, këngëtarja Elvana Gjata s’ka qenë e pranishme në momentin e të shtënave.

Në lokalin në rrugën “Ibrahim Rugova” në ish-Bllok më 4 tetor, u plagosën me armë zjarri Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë Fabian Gaxha, 28 vjeç.

Uniformat blu bënë arrestimin në flagrancë të dy të plagosurve dhe shpalljen në kërkim tre të tjerë. Të shpallurit në kërkim janë Ervin Mata, 31 vjeç, Fabio Allushi, 42 vjeç dhe Mervjol Bilo, 41 vjeç, banues në Tiranë. /a.y/noa.al

Vrasja në ish-Bllok, në kërkim biznesmeni në konflikt me të dashurin e Elvana Gjatës

Biznesmeni i shpallur në kërkim për vrasjen në ish-Bllok, është bashkëshorti i Miss-it shqiptar