Transmetuar më 28-11-2018, 10:38
Ervin Mata

Një tjetër person është shpallur në kërkim për vrasjen e 4 tetorit në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Në kërkim policor është shpallur biznesmeni Eldi Dizdari, i dyshuar si personi kyç në ngjarjen me një të vrarë dhe dy të plagosur, shkruan ‘Bë’.

Duke cituar burime thuhet se, Dizdari dyshohet se ishte në konflikt me Ervin Matën partnerin e këngëtares së njohur Elvana Gjata për shkak të mosmarrëveshjeve për një sasi të konsiderueshme kokaine.

Sipas informacioneve të ardhura në Prokurori nga shërbimet partnere rezulton se Mata nuk i është përgjigjur Dizdarit për këtë ngarkesë dhe në mes për sqarim ka hyrë biznesmeni Ervis Martinaj i cili është edhe një nga dy të plagosurit në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Të tjera të dhëna priten nga autoritetet spanjolle dhe holandeze të cilat do të hedhin dritë në zbardhjen e ngjarjes.

Në lokalin në rrugën “Ibrahim Rugova” në ish-Bllok më 4 tetor, u plagosën me armë zjarri Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë Fabian Gaxha, 28 vjeç.

Uniformat blu bënë arrestimin në flagrancë të dy të plagosurve dhe shpalljen në kërkim tre të tjerë. Të shpallurit në kërkim janë Ervin Mata, 31 vjeç, Fabio Allushi, 42 vjeç dhe Mervjol Bilo, 41 vjeç, banues në Tiranë.