Transmetuar më 28-11-2018, 10:16

Edhe ky 28 Nëntor e ka gjetur të ndarë politikën shqiptare, ku Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama bashkë me përfaqësues të kabinetit qeveritar kanë shkuar në Vlorë, ku është mbajtur ceremonia e ngritjes së flamurit, në monumentin e pavarësisë.

Por kryedemokrati Lulzim Basha, ka zgjedhur të festojë ndryshe.

Ai ka shkuar në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, për të kujtuar të rënët dhe ditën e Çlirimit, bashkë me përfaqësues të tjerë të opozitës.

Në fjalën e rastit kryedemokrati Basha tha “Gëzuar nga zemra gjithë shqiptarëve ditën e Çlirimit dhe flamurit. Përkulemi me nderimin më të thellë para flamurit, para Ismail Qemalit dhe gjithë firmëtarëve të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Përkulemi para qindra të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Përkulemi edhe para sakrificës së Adem Jasharit që dha jetën për çlirimin e Kosovës.

Ai shtoi se çmimi i lartë që kombi ynë ka paguar për liri, është i pandarë nga beteja për liri dhe demokraci, duke thënë se është në krahë të gjithë shqiptarëve që janë ngritur në kërkim të lirisë dhe të drejtave të tyre.

Sakaq e majta prej vitesh e kujton më 29 Nëntor ditën e Çlirimit, ndryshe nga e djathta e cila i kujton në një ditë të dyja festat edhe Çlirimin edhe Pavarësinë. /a.y/noa.al