Transmetuar më 27-11-2018, 12:58

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot ish-ambasadorin amerikan Alexander Arvizu me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”.

Kreu i Shtetit shqiptar i akordoi ish-ambasadorit titullin e lartë me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të tij të çmuar në përparimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe gjatë mandatit të tij si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe në vijim si dhe për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit”.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm personalitete të ndryshme të trupit diplomatik të akredituar në Shqipërisë, ish-Presidentë, ministra e deputetë, politikanë, intelektualë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në fjalën e rastit Presidenti Meta tha se SHBA-të kanë pasur dhe vazhdojnë te kenë një rol vendimtar dhe një rëndësi vitale në historinë e shtetit shqiptar që prej krijimit të tij, për çka Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës.

Meta tha se Arvizu ka qenë ambasador në Shqipëri nga dhjetori i 2010-s deri në janar të 2015-s duke qenë dhe ambasadori më jetëgjatë i SHBA-ve i cili ka shërbyer në vendin tonë.

Kreu i shtetit tha se gjatë veprimtarisë së tij diplomatike si ambasador në Shqipëri ai dha një kontribut të madh në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ambasador Arvizu ka një meritë të veçantë për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit si dhe për ndihmën efikase në përparimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, por edhe reformën në drejtësi.

Për reformën në drejtësi, që ka qenë kryefjala e viteve të fundit, do të theksoja në veçanti angazhimin e Tij jo shumë të dukshëm, por mjaft aktiv në detyrën e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit për çështjet e drejtësisë dhe të luftës kundër drogës. Duke sugjeruar gjithmonë bashkëpunim dhe konsensus mes të gjitha palëve për realizimin e kësaj reforme madhore edhe gjatë dy vizitave të tij të kryera në Shqipëri”, u shpreh Meta.

Për Presidentin, Arvizu nuk ishte një diplomat skematik, por realist duke përshtatur politikën e vendit të tij me realitetin dhe zhvillimet dinamike të Shqipërisë, duke qenë bashkëpunues dhe përfshirës me të gjithë aktorët institucional dhe shoqëror në vendin tonë.

Duke cituar fjalët e tij, Meta tha se Arvizu shprehet se, “Të qenit në Shqipëri është një përvojë gati surreale, pasi edhe pse kam udhëtuar në shumë vende të botës, askund nuk kam gjetur njerëz të jenë kaq pro-amerikanë sa në Shqipëri dhe kur mendoj për shumë nga kolegët e mi që kanë shërbyer në vende të tjera, disa prej të cilëve kanë humbur jetën e tyre, jam i lumtur dhe i privilegjuar që kam qenë në Shqipëri”.

Nga ana e tij ish-ambasadori Arvizu shprehu mirënjohjen  dhe kënaqësinë e Tij për vlerësimin nga ana e Presidentit Meta si edhe siguroi se do të vazhdojë të promovojë vlerat më të mira të Shqipërisë. /a.y/noa.al