Transmetuar më 27-11-2018, 10:43

Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masën e sigurisë për portierin e ekipit të “Partizanit”, njëherësh edhe i kombëtares shqiptare të futbollit, Alban Hoxha.

“Detyrim paraqitje”, dy herë në muaj në polici, u vendos për Hoxhën, i cili tashmë do të hetohet në gjendje të lirë.

Hoxha u arrestua në orët e para të mëngjesit të së dielës, në afërsi të Parlamentit, i ndaluar nga një pikë kontrolli e Policisë Rrugore.

31-vjeçari iu nënshtrua testit të alkoolit, ku në të dy provat rezultoi me 0.52 miligramë alkool për litër ose thuajse dyfishi i normës së lejuar.

Kësisoj ai u arrestua nga policia e kryeqytetit nën akuzën e veprës penale “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”.

Hoxha u shoqërua në komisariatin nr.1 të policisë, pa bërë rezistencë.

Vepra penale për të cilën ai akuzohet parashikon se, “Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”. /a.y/noa.al