Transmetuar më 26-11-2018, 12:34

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, reagoi sërish lidhur me projektin e Unazës së Madhe, të cilin e cilësoi si hajdutërinë e frikshme me fondin 40 milionë euro tek “Unaza e Re”.

Në konferencën për mediat të mbajtur ditën e sotme, ai publikoi të njëjtën video si kryedemokrati Lulzim Basha, për të kuptuar sipas tij raportin, shumë të lig, të pabesë e të pandershëm të Kryeministrit që gënjen për çdo gjë, për një deklaratë që ka bërë “në atë kohë kur duhet të merrte e të rrëmbente votat, pikërisht qytetarëve shqiptarë”.

Vasili tha se Rama pohon që edhe Enver Hoxha po të ngrihej ndërtesat pa leja nuk do të prisheshin.

Sipas tij, këto janë deklaratat e paturpa, të një mashtruesi që për të rrëmbyer votën e radhës, për të konsoliduar atë pushtet që i lejon atij të vjedhë 40 milionët, gënjen në këtë mënyrë të pacipë, e thotë që dhe Enveri po të ngrihej këto nuk do të prisheshin.

“Ndërkohë ky, nuk do doja ta quaja Enveri i Ri, ky është një bastard i ri i diktaturës, ndodhet atje me fadromë në dorë, për të shkatërruar ato shtëpi dhe për të fituar 40 milionë. Dhe në fund të këtyre, farë u ka blatuar ky autoritar i ri, ky hajdut i ri, u ka çuar këta njerëz, që ty vënë kryqin e kuq të radhës. Naziskinjtë e rinj, si dikur hebrenjtë kishin kryqet, nga duart e naziskinjëve, banorët e ndershëm dhe punëtorët e “Unazës së Re” do kenë kryqin te dera e tyre. Do të rikthehemi sërish te ajo që është bushtra e të gjithë të këqijave. Ai që pjell të tërë këtë histori, që është pikërisht hajdutëria e 40 milionëve. 40 milionë euro për 2.2 kilometra rrugë”, u shpreh Vasili.

Ai denoncoi se të gjitha këto para janë vjedhur me një tender fals dhe se tre janë kompanitë, të cilat sipas tij kanë vjedhur pikërisht me një tender fals, këto para kanë pasur konkurrues një firmë zero.

Vasili tha se po e njëjta unazë në vazhdimësi, këto segmente që kanë kushtuar 5 herë më pak, kanë qenë komplet rrugë të reja, me vështirësi më të madhe, me reliev më të keq, dhe se kjo që është thjesht dhe vetëm plotësim, hapje, zgjedhim i një korsie, kushton 5 herë më shumë se sa ato.

“Është fare e qartë që në të gjithë këtë aferë të frikshme dhe korruptive, të bërë trashë dhe me arrogancë, pikërisht me qetësinë që kemi një drejtësi që nuk na ndjek, që nuk na heton, është konsumuar nga kjo qeveri”, deklaroi Vasili.

Ai bëri apel ndaj Prokurorisë që të të mos vazhdojë rolin e bashkëhajdutërisë shtetërore dhe se vjedhja është në sytë e saj dhe është e qartë.

Sipas tij, tanimë edhe shqiptari më i fundit e ka kuptuar, e ka shumë të qartë që kjo rrugë po bëhet më e shtrenjtë se floriri, pavarësisht nga llogaritë inxhinierike “të shkollëpakut, po hajdutshumtit të qeverisë”.

“Po e them edhe njëherë, shkollëpakut po hajdutshumtit të qeverisë dhe kjo Prokurori nuk mundet asnjë sekondë të qëndrojë në këtë pozicion, pasi damka që ajo po merr dhe konflikti me të cilën ajo po hyn me interesat e një populli, të cilat duhet t’i mbrojnë si interesa publike, është besoj më i rëndi që është konsumuar ndonjëherë në këto vite”, deklaroi ndër të tjera Petrit Vasili. /a.y/noa.al