Transmetuar më 24-11-2018, 16:26

Durrës – Fakulteti i Edukimit, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, në bashkëpunim me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë si Università della Calabria, Itali, Taganrog Institute of Management and Economics, Rusi, Universiteti “Fan Noli” Korçë, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër etj., organizoi konferencën e pestë ndërkombëtare “Mësimi, edukimi dhe të nxënit” .

Qëllimi i kësaj konference lidhej me ofrimin e një debati dhe diskutimi të gjerë e gjithëpërfshirës në lidhje me zhvillimin dhe perspektivën e edukimit, mësimdhënies dhe të nxënit në ditët e sotme.

Konferenca u konceptua në disa sesione tematike, të cilat japin mundësi për diskutime në fusha të ndryshme si Zhvillimi i Edukimit në Ballkan dhe Europë, Edukimi dhe Shoqëria, Qasjet psikologjike të të nxënit, Të nxënit dhe dija, Edukimi dhe letërsia, Edukimi dhe gjuhësia, si dhe Edukimi dhe të nxënit gjatë jetës.

Në këtë konferencë morën pjesë studiues nga Shqipëria, Ballkani dhe Europa. Disa nga ligjëruesit kryesorë janë: Prof. Tibor Janos Karlovitz nga International Research Institute, Komarno, Sllovaki, Judit Karpati Daroczi nga Obuda University, Budapest, Hungari, Prof.Dr. Mimoza Gjokutaj nga Universiteti i Tiranës, Prof. Torgyik Judit nga Universiteti Kodolanyi Janos, Hungari, etj.

Fjala përshëndetëse për hapjen e konferencës u bë nga rektorja e Universitetit Aleksandër Moisiu, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski. Dekania e Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc.Dr Griselda Abazaj bëri një paraqitje të synimit të konferencës dhe çështjeve kryesore që trajton konferenca.

Nëpërmjet punimeve të tyre, pjesëmarrësit në konferencë sollën diskutime të gjera e gjithëpërfshirëse për çështje dhe problematika që lidheshin me edukimin, mësimdhënien, si dhe dhanë këndvështrime të ndryshme për zgjidhjen e problematikave të parashtruara.