Transmetuar më 26-11-2018, 09:51
Foto ilustruese

Në vijim të thellimit të kontrolleve, në portin e Durrësit janë kapur tre persona të fshehur në kamion në tentativë për të dalë jashtë vendit, dy të tjerë me dokumente false si dhe është sekuestruar edhe një shumë e konsiderueshme parash.

Gjatë 24 orëve shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës në zbatim të masave shtesë për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, gjatë kontrollit në vijën e dytë kanë gjetur të fshehur në rimorkion e një kamioni tip “Scania” tre persona, në tentativë për të kaluar kufirin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme.

Ata janë A.Z., 23 vjeç, banues në Lezhë; M.Gj., 27 vjeç, banues në Mirditë dhe B.T.. 23 vjeç, banues në Mirditë.

Tre të dyshuarit janë ndëshkuar me masë administrative për shmangie të verifikimit kufitar me 20 mijë lekë të reja gjobë secili.

Gjithashtu është arrestuar në flagrancë drejtuesi i kamionit, T.M., 30 vjeç, banues në Sukth, Durrës.

Në cilësinë e provave materiale kamioni dhe shuma monetare prej 1000 euro dhe 4 aparate telefoni celular.

Gjithashtu nga kontrollet e dokumentacionit të udhëtarëve janë kapur dhe proceduar në gjendje të lirë dy persona, L.K., 22 vjeçe dhe A.A., 56 vjeç, të cilët tentuan të kalojnë kufirin me dokumente të falsifikuara.

Shtetases L.K. gjatë kontrollit të dokumentacionit i’u gjet një kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar ndërsa shtetasit A.A.. një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar. /a.y/noa.al