Transmetuar më 26-11-2018, 09:22

“Kur mashtron dhe mohon dhe veten për të vjedhur 40 milionë euro”. Kështu thotë kryedemokrati Lulzim Basha, teksa publikon një video ku ballafaqon dy deklarata të Kryeministrit Edi Rama, njërën të bërë në vitin 2013 dhe tjetrën para pak ditëve, lidhur me ndërtimet pa leje.

Ai thotë se Edi Rama në vitin 2013 mashtroi shqiptarët për t’u marrë votën.

Në deklaratën e bërë në atë periudhë, siç mund të dëgjoni në video Kryeministri thotë se “Shtëpitë e ndërtuara pa leje nuk prishen edhe sikur Enver Hoxha të ngjallet”.

Më tej deklarohet se sot Edi Rama mohon veten për të vjedhur 40 milionë euro për 2 kilometër rrugë.

Ndërsa në deklaratën e para pak ditëve, kreu i qeverisë thotë se, “Medemek unë paskam thënë dikur që shtëpitë nuk prishen dhe tani po i prish”.

Në video thuhet se projekti i Unazës së Madhe është vjedhje e 40 milionë eurove dhe se 317 shtëpi do të prishen në kundërshtim me ligjin.

“Me Edi Ramën ka vetëm vjedhje, abuzim, mashtrim”, thuhet në mbyllje të videos. /a.y/noa.al