Transmetuar më 26-11-2018, 08:39

Portieri i ekipit të futbollit “Partizani”, por edhe i kombëtares, Alban Hoxha u arrestua këtë të diel pasi u kap në makinë në gjendje të dehur.

Ai u arrestua në orët e para të mëngjesit të së dielës, në afërsi të Parlamentit, i ndaluar nga një pikë kontrolli e Policisë Rrugore.

31-vjeçari i është nënshtruar testit të alkoolit, ku në të dy provat ka rezultuar me 0.52 miligramë alkool për litër ose thuajse dyfishi i normës së lejuar.

Kësisoj ai u arrestua nga policia e kryeqytetit nën akuzën e veprës penale “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”.

Hoxha është shoqëruar në komisariatin nr.1 të policisë, ku nuk ka bërë rezistencë.

Pritet që ai të dalë para gjykatës brenda 48-72 orë për tu njohur me masën e sigurisë.

Sakaq vepra penale për të cilën ai akuzohet parashikon se, “Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”. /a.y/noa.al

U ndalua në gjendje të dehur, arrestohet portieri i Partizanit dhe Kombëtares