Transmetuar më 25-11-2018, 17:56

Banorët te “Unaza e Re" në Tiranë, kanë mbajtur protestën e tyre të radhës e cila është në ditën e 22-të të saj.

Banorët kanë protestuar pasditen e sotme kundër prishjes së banesave të tyre.

Protesta është mbështetur edhe nga dy forcat politike opozitare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kryedemokrati Lulzim Basha, i pranishëm në protestën e banorëve, është shprehur se nesër PD do publikojë fakte të reja për projektin që ai e quan korruptiv.

Sipas Bashës, policia ka dhunuar qytetarët të cilët protestojnë për të drejtat e tyre duke mos kursyer as të miturit.

“Është një provë e qeverisë së Edi Ramës, dhe i mban qytetetaret si të burgosur politikë dhe liron kriminelët. Nesër do të publikojmë fakte tronditëse se sa e madhe është kjo vjedhje. Arrestimi dhe keqtrajtimi 12 qytetarëve nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së medias. Kanë rrahur dhe dhunuar një 17-vjecar dhe imagjino se çfarë ka ndodhur me të tjerët. Edi Rama duhet të tërhiqet urgjentisht nga ky projekt megavjedhje. Prokuroria nuk ekziston, nuk ka, se po të kishte prokurori ky djal që u rrah, ata që e rrahën do kishin frikë nga prokurorët. Është i njëjti segment, i pari është ndërtuar me 8 mln euro për km, ky tani do ndërtohet me 20 mln euro për km. Është një vjedhje ashiqare, 20 mln euro/km. Një nga kompanitë këtu është regjistruar në parajsa fiskale. Edi Rama që të vjedhë këto paratë, kërkon të nxjerrë këta njerëz nga shtëpitë.”- tha Basha./a.k/noa.al/