Transmetuar më 25-11-2018, 13:37

Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka komentuar masat e sigurisë të vendosura sot nga Gjykata e Tiranës, për 11 banorët e Unazës së Re, të arrestuar pas protestës së dhunshme të kësaj të enjteje, ku pati përplasje me policinë.

Ndërsa një nga të ndaluarit u la në burg dhe për dhjetë të tjerët u vendos detyrim paraqitje, Salianji e cilësoi si standard të zi.

“Sot është vendosur një standard i zi në Republikë, kur nëse trafikant, përdhunues, kriminel, bëhesh kryetar bashkie si Vangjush Dako, Elvis Roshi, si Prenga, si Ndoka, etj dhe nëse je protestues për të mbrojtur familjen tënde, pronën, dënohesh pa prova dhe pa ligj duke shkelur themelet e së drejtës. Prokuroria nuk kishte asnjë provë. Në mënyrë të turpshme, prokuroria tha se kemi prova 5 bidona dhe materiale plastike, prova tjetër ishin dy restela dhe dy pankarta me mbishkrime. Mbi këtë bazë jo vetëm u dënuan sot pasi të gjithë janë me masë sigurimi”, u shpreh Salianji.

Sipas tij, të gjithë qytetarët që u paraqitën para gjykatës pa prova dhe pa ligj me vullnetin e Edi Ramës dhe kryeprokurores Arta Markut mbahen sot të izoluar apo me detyrim.

“Qytetari që sot u dënua me arrest me burg, të gjithë e kanë parë që ai nuk është arrestuar në flagrancë. Edhe me ligj lufte ndalohet kur ka shenjat e spitalit. A i keni parë qytetarët e tjerë që sot janë marrë zvarrë? A e dini ju që nuk janë bombat, shashkat që shiten në çdo cep të Tiranës. A e dini se Policia e Shtetit dhunon çdo ditë qytetarët e Tiranës?!”, deklaroi deputeti demokrat. /a.y/noa.al

Gjykata vendos masën e sigurisë për të arrestuarit e Unazës së Re, një në burg, 10 në liri