Transmetuar më 25-11-2018, 10:00

Saimir Taullahu, personi i cili mbeti i plagosur në atentatin me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës, është larguar nga spitali. Mësohet se pas marrjes së ndihmës së parë nga bluzat e bardha, ai është larguar nga ambientet e spitalit i shoqëruar nga policia.

Mirëpo nuk dihet ende vendndodhja e tij, teksa mendohet se largimi është bërë për arsye sigurie.

Bëhet me dije se ai ka marrë një plagë të lehtë në kokë dhe një tjetër në shpatull, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sakaq policia ka shoqëruar disa persona të dyshuar për tu marrë në pyetje.

Plagosja e Taullahut ndodhi pasditen e kësaj të shtune në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”. 47-vjeçari njihej edhe si kundërshtar i Aldo Bares, pasi në vitin 2005, atij bandat e Bares i kanë vrarë vëllanë Baki Taullahu, të cilit i kishin vënë edhe gjoba.

Saimir Taullahu ka treguar se kishin blerë tokë në Tiranë dhe se banda e Bares, iu kërkonte para ose do i merrnin tokën dhe pak kohë pasi vëllai denoncoi në polici dhe SHIK e vranë.

“Ditën e zgjedhjeve të korrikut 2005, kur unë dhe vëllai dolëm në qendër të qytetit për të ndjekur rezultatin e zgjedhjeve, aty vërejtëm se po ndiqeshim nga Leonard Prifti dhe një person tjetër biond me kapele. Personi me kapelë m’u lëshua mua për të më vrarë dhe unë u largova ndërsa vëllanë e ndoqi Leonard Prifti dhe e vrau”, ka thënë Saimir Taullahu.

Më tej në dëshminë e tij, ka shtuar se vëllai i tij Baki Taullahu është detyruar të paguajë disa herë gjobat e vëna nga banda e Aldo Bares, emri i vërtetë i të cilit është Alfred Shkurti.

Sipas tij, kjo histori ka vazhduar gjatë, dhe në rastet kur vëllai Bakiu nuk pranonte të paguante ata hakmerreshin ndaj biznesit të tij dhe kërcënonin pjesëtarët e familjes.

Në vitin 2002, pasi Baki Taullau kishte refuzuar të paguante 5 milionë lekë, pjesëtarët e bandës së Aldo Bares i vendosën tritol banesës së vëllait tjetër Albert Taullahut i cili mbeti i plagosur. /a.y/noa.al