Transmetuar më 25-11-2018, 08:45

Një person mbeti i plagosur me armë zjarri si pasojë e disa të shtënave të ndodhura pasditen e djeshme, në Lushnje.

Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”, ku shënjestra ishte 47-vjeçari Saimir Taullau, i cili mbeti i plagosur.

I plagosuri i cili aktualisht ndodhet në spital, është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa u qëllua me armë zjarri teksa ndodhej në lokalin e tij.

47-vjeçari njihej edhe si kundërshtar i Aldo Bares, pasi në vitin 2005, atij bandat e Bares i kanë vrarë vëllanë Baki Taullau, të cilit i kishin vënë edhe gjoba.

Saimir Taullau ka treguar se kishin blerë tokë në Tiranë dhe se banda e Bares, iu kërkonte para ose do i merrnin tokën dhe pak kohë pasi vëllai denoncoi në polici dhe SHIK e vranë.

“Ditën e zgjedhjeve të korrikut 2005, kur unë dhe vëllai dolëm në qendër të qytetit për të ndjekur rezultatin e zgjedhjeve, aty vërejtëm se po ndiqeshim nga Leonard Prifti dhe një person tjetër biond me kapele. Personi me kapelë m’u lëshua mua për të më vrarë dhe unë u largova ndërsa vëllain e ndoqi Leonard Prifti dhe e vrau”, ka thënë Saimir Taullau.

Më tej në dëshminë e tij, ka shtuar se vëllai i tij Baki Taullau është detyruar të paguajë disa herë gjobat e vëna nga banda e Aldo Bares, emri i vërtetë i të cilit është Alfred Shkurti.

Sipas tij, kjo histori ka vazhduar gjatë, dhe në rastet kur vëllai Bakiu nuk pranonte të paguante ata hakmerreshin ndaj biznesit të tij dhe kërcënonin pjesëtarët e familjes.

Në vitin 2002, pasi Baki Taullau kishte refuzuar të paguante 5 milionë lekë, pjesëtarët e bandës së Aldo Bares i vendosën tritol banesës së vëllait tjetër Albert Taullaut i cili mbeti i plagosur. /a.y/noa.al

Dalin pamjet, lokali ku u qëllua drejt armikut të Aldo Bares

Tronditet qyteti, një person plagoset rëndë me armë zjarri