Transmetuar më 25-11-2018, 08:11

Policia Rrugore e kryeqytetit ashtu si çdo fundjavë, edhe natën mes të shtunës dhe të dielës, ka ushtruar kontrolle me Drager ndaj drejtuesve të automjeteve në çdo rrugë për të parandaluar aksidentet rrugore që shkak kanë drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.

Në Selitë në mesnatë u arrestuan drejtuesi i mjetit shtetasi D.A., 25 vjeç, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur ku testi i parë i doli 0.72 mg/l dhe testi i dytë 0.74 mg/l.

Gjithashtu u pezulluan 21 patenta për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

“Alkooli në timon vret jetën. Përdor mjetet e transportit publik në rast se je drejtues mjeti dhe ke konsumuar alkool”, thotë policia.

Kontrollet kanë vijuar edhe në autostradën Tiranë-Durrës-Tiranë, për të parandaluar aksidentet rrugore të shkaktuara si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara.

“Mos nxito të arrish në spital. Qarkullo me shpejtësi brenda limiteve të lejuara, respekto sinjalistikën rrugore që të shkosh në shtëpi i sigurt, e jo të shkosh pa patentën apo më keq akoma patenta pa ty”, apelon policia.

Po ashtu është konstatuar me shpejtësi 169 km/h, një 21-vjeçari nga Korça, për të cilin thuhet se pilotonte për të arritur ahengun.

“E papranueshme veprimi dhe justifikimi”, thotë më tej policia.

Ndërkohë gjatë orëve të fundit 18 patenta janë pezulluar për shpejtësi. /a.y/noa.al