Transmetuar më 23-11-2018, 23:31

Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar për plagosjen e një personi në Vlorë, të cilit iu vendos lëndë plasëse poshtë makinës.

Në Facebook, Lulzim Basha shkruan se krimi po vret Shqipërinë, në një kohë kur shteti po nxjerr jashtë banorët e Unazës së Re.

“Kur i gjithë shteti dhe policia janë vërsulur të nxjerrin banorët nga shtëpitë e tyre për vjedhjen 40 milionë Euro të Edi Ramës te Unaza, qytetet e Shqipërisë qeverisen nga krimi. Përsëri atentat me tritol dhe përleshje me armë sonte në Vlorë, në vazhdën e atentateve dhe përplasjeve mafioze që kanë përpirë gjithë vendin në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan dhe kudo.

Ndërsa Edi Rama sulmon si i lajthitur të gjithë ata që mendon se po i rrezikojnë paratë dhe burgos edhe fëmijët dhe nënat që luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, krimi po vret Shqipërinë”, shkruan Basha.

Më tej ai akuzon Ramën se bën gjithçka për të mbajtur karrigen e pushtetit.

“Sepse për Edi Ramën kriminelë janë ata që i kërcënojnë tepsinë. Shikojeni si pëllet i tmerruar se duan t’i marrin karrigen, tepsinë, paratë e vjedhura.

U merr shtëpitë njerëzve të dëshpëruar, por ulërin si i çmendur se duan t’i marrin karrigen. Hajdut dhe i çmendur”, përfundon Basha. /k.k/noa.al/