Transmetuar më 23-11-2018, 17:39

Ka nisur edhe këtë mbrëmje protesta e banorëve të Astirit në Unazën e Re, e cila shënon këtë të premte ditën e 20-të të saj.

Ata kanë bllokuar rrugën si çdo pasdite, teksa në mbështetje të tyre është dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë të opozitës.

Në një prononcim për mediat nga protesta Basha sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa tha se ky projekt antiligjor që sipas tij ka vlerën e 40 milionë euro, është për vilën e tij në Surrel.

“Edi Rama është një hajdut. Këta banorë janë këtu se ai do vjedhë 40 milionë euro, duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën dhe ligjin për shpronësim. Ai është projekt për vilën e Surrelit. Agai i ka bërë pazaret, për të vjedhur 40 milionë euro.

Ne jemi 24 orë pranë banorëve. Qytetarët nuk duhet të presin që kjo e keqe të vijë tek dera e tyre. Ky është projekti për vilën e Surrelit, do të lërë këta vogëlushë pa shtëpi”, tha Basha.

"Duam shtëpitë tona, duam shtëpitë tona", janë thirrjet në kor të banorëve.

Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe pa ua legalizuar më parë, që do tu mundësonte atyre dëmshpërblimin./b.l/noa.al/