Transmetuar më 23-11-2018, 16:15

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë mbi shpërndarjen e buxhetit për vitin 2019.

Ministrja para komisionit deklaroi se buxheti i akorduar kap shifrën e 39.1 miliard lekëve dhe përmbush pritshmëritë për thellimin e reformave, rritjen e pagës për mësuesit, shtimin e numrit të mësuesve ndihmës dhe sigurimin e transportit për nxënësi dhe mësuesit nga klasat kolektive.

Nga salla e Kuvendit ministrja detajoi edhe risitë që ky buxhet do të sjellë, me fokus të veçantë, rritjen e cilësisë në arsimin shqiptar.

“Buxheti për vitin 2019 është 39.1 miliard lekë dhe ka rritje me 1.1 miliard lekë. Është një buxhet që ka disa risi. Për herë të dytë mundëson rritjen e pagave për mësuesit në masën 7% me efektet financiar 1.3 miliard lekë. Premtimi ynë mbetet rritja e pagave në masën 40% deri në fund të mandatit.

Do të jetë një buxhet që shton vëmendjen tek gjithëpërfshirja dhe barazia. Mësuesit ndihmës, me buxhetin e 2019 do të kemi 1 mijë mësues ndihmës, me rreth 900 milion lekë efekt financiar. Ambicia jonë është që çdo fëmije që do mësues ndihmës, ne ta sigurojmë atë.

Një tjetër risi që përmendi Nikolla është shtimi i 150 oficerëve të sigurisë si dhe shtimi i fondeve për programin të "Bëjmë detyrat e shtëpisë", i cili në vitin 2019, shtrihet në 90 shkolla, 70 shkolla më shumë se një vit më parë.

Nikolla tha se mbyllja e klasave kolektive nuk nxjerr nga sistemi asnjë mësues.

“Buxheti 2019 akordon 800 milion lekë për 35 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues për transportin e tyre. Do të kemi tekste falas edhe për klasën e 5-të në 2019, vijojmë të mbështesim edhe kategoritë në nevojë. Investojmë në 75 objekte të reja arsimore, palestra dhe laboratorë”, tha ajo.

Gjatë seancës në komision, ministrja nuk la pa përmendur as arsimin e lartë i cili këtë vit merr 8.1 miliard lekë ose 410 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Nikolla rikonfirmoi se do të mbulohen 12 muaj pagat e pedagogëve por nga investigimi i bërë në shumë universitete ajo deklaroi se ka një fryrje të stafeve të cilat sjellin edhe uljen e parave që mund të shkojnë në favor të studentëve.

Jashtë vëmendjes nuk u la nga deputetët pjesëmarrës edhe protesta e studentëve para Kryeministrisë. Por ministrja u konfirmoi se nuk ka rritje tarifash prej disa vitesh dhe solli disa argumente mbi tarifën mesatare që paguajnë studentët në "Bachelor".