Transmetuar më 23-11-2018, 14:30

Ministri i Jashtëm i Katarit Sheikh Muhammed bin Abdul Rahman Al Thani, gjatë një seance në Forumin e IV të Dialogut Mesdhetar të mbajtur të enjten në kryeqytetin italian Romë, deklaroi se përgjegjësi për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi duhet të mbajë përgjegjësi, cilido qoftë ai.

Në këtë kontekst, ai tha se “nga këndvështrimi ynë, kushdo që qëndron pas vrasjes së Khashoggi-t duhet të mbajë përgjegjësi. Ndërsa, sa i përket asaj nëse Presidenti (amerikan Donald Trump) ka apo jo konkluzionet e sakta rreth kësaj çështjeje, ne nuk e dimë, por ajo që kërkon komuniteti ndërkombëtar është e qartë: vënien e autorëve para përgjegjësisë. Ne presim përfundimin e hetimeve për të ndërmarrë veprime në lidhje me këtë çështje”.

Në lidhje me krizën e Gjirit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani tha se ajo nisi me një fushatë denigruese mediatike dhe se institucionet amerikane i kanë raportuar Presidentit Donald Trump për çka ndodhi realisht, duke shtuar se autoritetet e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme që nga vendosja e bllokadës ndaj Katarit në Qershor 2017.

“Ajo që ndodhi gjatë muajve të parë të bllokadës ishte shkatërruese për reputacionin e tërë rajonit të Gjirit. Sauditët dhe emiratasit vazhdojnë të kenë të njëjtën sjellje që patën atëherë kur morën vendimin për imponimin e bllokadës, dhe me të njëjtën sjellje nuk reagojnë ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund kësaj bllokade. Papërgjegjshmëria e tyre në mënyrën e qasjes ndaj sigurisë së rajonit të Gjirit, e cila në thelb duhet ishte e qëndrueshme, vazhdon ende sot e kësaj dite” tha ai.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Katarit tha se ndërhyrja në Jemen nuk ka realizuar asnjë nga qëllimet e saj të deklaruara për rikthimin e qeverisë legjitime në Sanaa (kryeqyteti i Jemenit) dhe eleminimin e rreziqeve ndaj sigurisë që vijnë nga rebelët Houthi.

Ai u shpreh se ecja përpara kërkon ndalimin menjëhershëm të luftës jemenase dhe uljen e të gjitha palëve në konflikt në tryezën e bisedimeve për të filluar një proces politik.

Më herët gjatë këtij muaji, Shteti i Katarit mirëpriti ftesën e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim në Jemen, dhe e cilësoi këtë ftesë si një hap inkurajues drejt zgjidhjes politike të konfliktit të armatosur në vend.

I pyetur rreth organizimit të Kupës së Botës 2022 në Katar, Al Thani theksoi se “organizimi i Botërorit në Katar do të ndryshojë imazhin e Perëndimit për arabët, që rajoni është vendi i luftrave, ekstremizmit dhe konflikteve”.

“Katari pret me padurim organizimin e Kupës së Botës 2022, që do të jetë një model dhe një mesazh paqeje dhe do të paraqesë një imazh të ndryshëm për arabët”, tha ai.