Transmetuar më 23-11-2018, 08:30

Që nga momenti që gjyshja e saj 83-vjeçare, kishte nisur të vuante nga skleroza, një vajzë e re, ishte bërë përfaqësuesja ligjore e të moshuarës, duke pasur kontroll të plotë në llogarinë e saj bankare. Familja ishte e gjitha dakord, por pas disa muajsh 35-vjeçarja vendosi që ti shpenzojë të gjitha kursimet e gjyshes Barbara Fisher, për të financuar udhëtime dhe pushime luksi.

Nën akuzë është vënë anglezja Louise Shaw nga Oldham, Greater Manchester, e cila deri para pak kohësh punonte si recepsioniste në një klinikë mjekësore, kujdesej për gjyshen si dhe për dy fëmijët e saj. Familja i besonte verbërisht, duke e njohur shumë mirë raportin special mes Louise dhe gjyshes së saj.

Por askush nuk mund të imagjinonte se gruaja kishte shpenzuar gjithë pasurinë e të moshuarës, rreth 25 mijë euro, për të bërë pushime luksi nga marsi i vitit 2016 deri në maj 2017. Ajo që e kuptoi se diçka nuk shkonte me financat e së moshuarës ishte një teze e Louise, e cila kishte gjithashtu akses në pasurinë e të moshuarës.

Duke parë zbrazjen e llogarisë, gruaja bëri denoncim në polici, nga ku u zbulua se përgjegjësja ishte pikërisht Louise, shkruan noa.al.

Një gjykatë e dënoi 35-vjeçaren që të kthejë mbrapsht shumën e parave, si dhe e dënoi me një muaj burg. Ky dënim i shkurtuar ndaj saj u dha këtë të hënë, në mënyrë që gruaja ti kalojë Krishtlindjet me fëmijët. /a.y/noa.al