Transmetuar më 23-11-2018, 08:19

Për herë të parë këtë vit misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar vuri theksin mbi Parandalimin e Pastrimit të Parave si një nga çështjet themelore që shqetësojnë integritetin e ekonomisë shqiptare.

Shqetësimi i Fondit lidhet me faktin se sistemi i parandalimit të pastrimit të parave ka dobësi. Këto dobësi mund të afektojnë sistemin bankar, ndaj kjo duhet të ndalohet. “Dobësitë për të ruajtur paprekshmërinë e sistemit financiar të Shqipërisë duhet të adresohen” rekomandoi Fondi në deklaratën zyrtare përmbyllëse që lëshoi për mediat gjatë vizitës së fundit.

Më herët këtë vit një raport i Këshillit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë vuri në dukje se gjatë vitit të kaluar janë vërë prurje të mëdha cash-i në llogaritë e bizneseve në banka nga persona të tjerë, të cilat nuk kanë mundur të justifikohen nga punonjësit e bankave. Inspektorët e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë në inspektimet e tyre gjatë vitit të kaluar kanë gjetur mospërputhje të veprimeve të bankave me ligjet dhe rregulloret e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.

“Në disa raste nuk disponohen dokumente që provojnë burimin e fondeve, të cilat mbeten kryesisht në nivel deklaratash për transaksione të kryera nga klientët me para fizike (cash) në llogaritë individuale dhe tregtare” thuhet ne konkluzionet e inspektimeve të Bankës Qendrore.

Kontrollet kanë zbuluar se ka raste që bankat nuk disponojnë dokumentacionin dhe njohuritë për marrëdhëniet ndërmjet disa kompanive që kryejnë transferta hyrëse në shuma të mëdha në llogaritë e tyre.

Vitin e kaluar, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, u vu re një rritje e pazakontë e llogarive të biznesit. Nga marsi 2017 deri në janar 2018, depozitat e biznesit në banka u rritën me 140 milionë euro, teksa depozitat e individëve nuk ndoqën këtë trajektore, përkundrazi kursimet e tyre ranë.

Më tej, Banka e Shqipërisë në inspektimet e saj me fokus me rastet e pastrimit të parave, ka gjetur transaksione të pajustifikuara të kryera për punonjësit e bankës.

Në raste të tjera u gjetën mospërputhje e të dhënave të bankës me profilin e klientit dhe aktivitetin e tij.

Bankat nuk kishin identifikimin e saktë të strukturës së pronësisë në momentin e inicimit të marrëdhënies së biznesit me kompanitë me aksione të prurësit, ku nuk janë përdorur dokumente ligjërisht të vlefshme, si dhe nuk janë monitoruar në vazhdimësi për ndryshime të mundshme në strukturën e pronësisë.

Gjithashtu janë gjetur mangësi në plotësimin e të dhënave të klientëve biznes në sistem, si dhe të klasifikimit të klientëve sipas rrezikut, ku u konstatuan mangësi në kundërshtim me ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave.