Transmetuar më 22-11-2018, 19:25

Prokuroria e Tiranës ka reaguar për ngjarjet e ndodhura ditën e sotme në Parlament, ku banorët e “Astirit” u dyndën për të protestuar.

Organi i akuzës, përmes një njoftimi për mediat, bën me dije se ka nisur procedime për disa vepra penale.

1.Plagosja e rëndë me dashje.

2.“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

3.“Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, e kryer me dhunë dhe në bashkëpunim.

4.“Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

5.“Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, janë 15 efektivë policie të cilët u dëmtuan nga përshkallëzimi i situatës me protestuesit.

Po ashtu në Spitalin e traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore dhe tre qytetarë, pjesmarrës në protestë.

Veprimet në lidhje me këtë çështje penale vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprave të kryera, si dhe arrestimin e personave përgjegjës dhe dërgimin e tyre para Drejtësisë, sqaron Prokuroria e Tiranës.

Pas regjistrimit të procedimit penal, është krijuar grupi hetimor në përbërje të të cilit janë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore.

Në drejtimin e prokurorëve janë kryer veprimet e para proceduriale, që kanë të bëjnë me kqyrjen e vendit të ngjarjes, fiksimin e provave materiale, pyetjen e të dëmtuarve, në Spitalin e Traumës në Tiranë, identifkimin nëpërmjet pamjeve filmike, si dhe në bashkëpunim me punonjësit e policisë, të personave që kanë kryer veprime konkrete, me qëllim kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë së tyre. /k.k/noa.al/