Transmetuar më 22-11-2018, 10:57

Policia e Shtetit del me deklaratë lidhur me operacionin e koduar “Uraka 2”, gjatë të cilit në afërsi të pikës kufitare të Qafë Thanës u zbulua një furgon mallrash i mbushur me lëndë narkotike.

Bëhet me dije se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 578 kilogramë kanabis sativa, janë vënë në pranga 8 persona si dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

Operacioni u kurorëzua në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit në Territor”, në vijim të kontrolleve të shumta të kryera në ambiente dhe automjete në akset rrugore, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për një sasi lënde narkotike që po transportohej me një automjet furgon në drejtim të Korçës.

Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Elbasanit në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, rreth orës 10:00 të kësaj të mërkure në fshatin Urakë, të Rrajcës, në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec është ndërhyrë dhe është bllokuar një automjet furgon “Iveco” me drejtues mjeti shtetasin A.B.

Nga kontrolli i ushtruar në brendësi të furgonit “Iveco” u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 578 kilogramë kanabis.

Gjithashtu u bllokuan dhe dy automjete të marra me qera nga të dyshuarit në Fier, automjete të cilat shoqëronin automjetin me lëndë narkotike, konkretisht mjeti tip “Ford Focus” me drejtues shtetasin A. C., si dhe mjeti tip “Toyota Corola” me drejtues mjeti E.H.

U sekuestruan gjithashtu 14 aparate celularë dhe 5800 euro.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i E. M., 27 vjeç, banues në Fier; A. C. (T.), 39 vjeç, banues në Fier; A. B., 42 vjeç, banues në Levan, Fier; E. H., 43 vjeç, banues në Elbasan; G. R., 42 vjeç, banues në Elbasan; E. Gj., 42 vjeç, banues në Pogradec; A. Q., 24 vjeç, banues në Korçë dhe L. D., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A. M., banues në Elbasan.

Lënda narkotike po transportohej në drejtim të Pogradecit dhe Korçës, ku do pritej nga shtetasit A.Q., dhe E.Gj., por për arsye hetimi nuk bëhen me dije të dhëna të tjera.

Aktualisht vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij grupi të strukturuar kriminal, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. /a.y/noa.al

Operacion antidrogë në Qafë Thanë, bllokohet furgoni që transportonte lëndë narkotike