Transmetuar më 22-11-2018, 09:05

Pas aksidentit me pasojë vdekjen e një punëtori në një fabrikë në Elbasan, është vënë në pranga një person.

I arrestuari është Flamur Alterziu, 58 vjeç, banues në Elbasan, përgjegjës turni.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e inxhinierit K.H., 30 vjeç, banues në Gostivar, Maqedoni.

Arrestimi dhe shpallja në kërkim u bë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pas vdekjes së 62-vjeçarit Naim Derstila.

Viktima ndërroi jetë mbrëmjen e kësaj të mërkure në Spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e dëmtimeve të marra.

Mësohet se Derstila u aksidentua duke punuar në uzinën e çelikut. Më konkretisht ai u rrëzua nga vinçi duke punuar dhe për pasojë preu njërën këmbë.

Si pasojë e dëmtimeve të marra dhe hemorragjisë 62-vjeçari ndërroi jetë, pavarësisht se u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet. /a.y/noa.al

Aksidentohet duke punuar, kush është personi që humbi jetën