Transmetuar më 22-11-2018, 08:00

Dyqani i një kompanie celulare ka rënë pre e grabitjes me armë, në orët e vona të kësaj të mërkure.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21.30 në bulevardin Vlorë-Skelë.

Tre persona të armatosur, kanë kryer grabitjen në momentin që po bëhej mbyllja e dyqanit.

Mësohet se autorët kanë qenë të maskuar, në momentin kur kanë kërcënuar dy punonjëset, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash dhe telefonash celularë.

Zona ku ka ndodhur grabitja është në rikonstruksion dhe për pasojë, është e bllokuar nga punimet që po kryhen në rrugë dhe kalimtarët janë fare të paktë.

Kjo është hera e tretë që i njëjti dyqan vidhet brenda pak kohësh. /a.y/noa.al