Transmetuar më 22-11-2018, 07:53

Shpesh herë, për të arritur diçka në jetë, të duhet të sakrifikosh diçka tjetër.

E kësaj nuk mund t’i shpëtonte as edhe një artist i madh si Ferdinand Deda.

I ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në ‘Soiree’ me Jonida Shehun, i biri i kompozitorit të njohur, Elton Deda ka treguar se Ferdinand Deda nuk ishte as familjar i shkëlqyer, as madhështor.

“Ferdi ka pasur diçka… Nuk është se ka qenë një familjar i shkëlqyer, një familjar madhështor, një familjar, i cili e kishte për studimin tim do linte gjithçka. Absolutisht, jo! Këto gjëra duhen thënë për sa kohë jemi edhe në një bisedë intime dhe të lezetshme dhe midis miqsh e këta e njohin më mirë”, – rrëfen Elton Deda.

Teksa po fliste për të atin e ndjerë, Eltoni tregoi për publikun edhe disa “sekrete” familjare.

“Ferdinandi më shumë kohë ka kaluar me miqtë e tij, me Jetmirin dhe me Fonin sesa me mua, me familje. Por kur ishte në shtëpi unë përpiqesha t’i bëja rrengje… Ky është edhe fati i muzikantëve të mëdhenj besoj”, – ka përfunduar Elton Deda.