Transmetuar më 21-11-2018, 21:14

7 plumba goditën 40-vjeçarin Fatos Ferracaku, në një atentat që sipas hetuesve ishte i mirë organizuar.

Dy plumba Ferracakun e kanë goditur në kokë, ndërsa të tjerët në trup dhe krahë.  Hetuesit tani kanë në dorë pamjet filmike të kësaj vrasje, që tronditën Shkodrën, pasi ndonjë në mes të ditës dhe në një zonë të populluar.

Në pamjet filmike shihet një motor i bardhë, tip TMAX 550 kubik, në të cilën ndodhen dy persona, me skafandra në kokë.

Personi i ulur mbrapa, i veshur me xhup të kuq, pantallona të zeza dhe skafandër të bardhë, zbret nga motori dhe pasi i afrohet 40-vjeçarit hap zjarr, ndërsa personi tjetër, me skafandër në kokë dhe rroba të zeza qëndron mbi motor në pritje të autorit të vrasjes, shkruan G.SH.

Disa minuta pasi ndodhi ngjarja, motori i përdorur në ngjarje, u gjet i djegur plotësisht në lagjen “Guerile”.

Kjo mënyrë por dhe se si ka vepruar vrasësi krijojnë bindjen tek hetuesit se kemi të bëjmë më vrasës profesionistë dhe sipas tyre është e “njëjta dorë” dhe në disa atentate të tjera të ndodhura në këtë qytet.

Pista që po hetohet lidhet me dyshimet se Fatos Ferracaku ka pasur djeni për konfliktet e kushëririt të tij, Arjan Ferracaku. Ky i fundit u vra po në Shkodër, më 1 Shtator të këtij viti.