Transmetuar më 21-11-2018, 14:21

Presidenti Ilir Meta dhe homologia kroate Kolinda Grabar-Kitarović, në kuadër të vitit kombëtar të heroit tonë Gjergj Kastriotit, Skënderbeut vizituan bashkësinë e Arbanasve të Zarës, “oazin e shqiptarëve në Kroaci”.

Ata u takuan dhe u përshëndetën me përfaqësuesit arbanas, me Prefektin dhe Kryetarin e Bashkisë së Zadarit, autoritetet vendore dhe drejtuesit fetarë, etj.

Presidenti Meta dhe Presidentja kroate Grabar-Kitarović u ndalën fillimisht në kishën “Gospe Loretske” (Zonja Jonë e Loretos), e ndërtuar gati 300 vite më parë si strehë shpirtërore dhe mbrojtëse e banorëve të rinj të Zarës.

Më pas vizituan shkollën fillore “Dr. Krune Krstića”, në të cilën fëmijët e bashkësisë arbanase mësojnë dhe shkollohen në gjuhën shqipe.

“Këtu janë shkolluar breza të shumtë arbanasish duke nxjerrë plejada akademikësh, studiuesish, shkrimtarësh e artistësh, të cilët krijuan vlerën e përbashkët sa arbneshe, aq edhe kroate”, vuri në dukje Presidenti Meta.

Nga ana e saj Presidentja e Kroacisë tha se, “Arbanasit kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin dhe mbrojtjen e Kroacisë. 11 luftëtarë Arbanasnga famullia e Zarës dhën jetën për Atdhe.”

Duke cituar shkrimtarin e madh kroat, priftin françeskan Andrija Kaçuç Mioshiç vuri në dukje se: “Nuk ka lindur nëna hero më të madh se Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”

Duke iu drejtuar të pranishmëve në qendrën Kulturore dhe Artistike të Shoqatës“Vicko Zmajevic” , në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh, “Jam shumë i emocionuar që sot, së bashku me Presidenten Kitaroviç, të ndodhem këtu mes jush, vëllezër e motra të një gjaku Arbënesh, për të kremtuar Vitin Mbarëkombëtar të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Pak ditë më parë, vizitova së bashku me Presidentin italian arbëreshët e Italisë, ndërsa sot, jam i lumtur të vizitoj Arbanasin dhe të takoj Arbneshët tanë të shtrenjtë, këtu, në këtë vend të bukur të bregdetit dalmat ku të gjithë, shqiptarë, kroato-shqiptarë dhe kroatë, e ndjejnë veten njësoj si një familje, një vatër, një shtëpi”.

Ai tha se ata janë kujtesa e gjallë e kombit shqiptar, për atë çka atij i ndodhi 5 shekuj më parë, atëherë kur u tentua që me zjarr e me hekur të çbëhej gjithçka shqiptare e mundësisht të shfarosej një komb.

Por, sipas tij, kjo gjë nuk u mundësua vetëm falë veprës legjendare të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Meta tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, mbetet figura më madhështore e kombit tonë, njëkohësisht emblema kombëtare, modeli i shkëlqyer i bashkimit të shqiptarëve dhe forcës së tyre në momentet më të vështira të historisë së kombit. /a.y/noa.al